Programi i së dielës në Tv Klan, “E diela shqiptare” ka sjellë këtë të diel një mesazh shumë emocionues e që me siguri ka përlotur çdo teleshikues. Një mësuese nga Kosova, e quajtur Diana kishte ftuar në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”  ish-nxënësen e saj, Elita, me të cilën nuk takohej prej gati tre vitesh.

Elita është një vajzë me aftësi të kufizuara dhe mësuese Diana është kujdesur gjatë asaj kohe që e ka pasur si nxënëse. Ajo i kishte sjellë edhe një kurorë princeshe vogëlushes në emision, pasi për mësuese Dianën, Elita është një princeshë. Dhe gjatë kohës që dy vajzat shohin njëra-tjetrën pas thuajse tre vitesh, emocionohen e përloten.

Pjesë nga mesazhi i mësuese Dianës për Elitën, shkëputur nga rubrika “Ka Një Mesazh Për Ty” në Tv Klan:

Diana: Elita, sot kam ardhur këtu që të të tregoj se je njeriu më i mrekullueshëm në krejt botën. Je princesha e klasës dhe princesha ime. Edhe të dua shumë, Elita. Shumë, shumë, shumë të dua. Po ti mua?

Elita: Të kam shumë të bukur.

Diana: Edhe unë ty. Elita, dua të të them zemër që ma ke ndryshuar jetën dhe jam shumë mirënjohëse që të kam takuar. Çdo ditë mësoj diçka të re prej teje. Je shumë e zgjuar, je shumë e mirë, e dëgjon mamin, babin, vallëzon me shokët e shoqet, je shumë e sjellshme me çdo person që e takon dhe jam shumë, shumë, shumë e lumtur për ty.