Cremonese do të jetë stacioni i radhës për të fituar përvojë dhe pastaj kthyer më i fortë se më parë te klubi mëmë. Lorenzo Colombo përshëndet Milanin, por vetëm përkohësisht, duke u përpjekur të piqet në një kampionat formues, siç është Serie B. Klubi kuqezi njoftoi huazimin e sulmuesit të lindur më 2002 me këtë shënim, që u shfaq në faqen zyrtare të internetit: “AC Milan njofton se ka transferuar përkohësisht futbollistin Lorenzo Colombo te Cremonese. Klubi falënderon Lorenzo dhe i uron më të mirën për pjesën tjetër të sezonit të futbollit”.

Colombo është një nga djemtë më premtues italianë, pikë e fortë e Italisë U-19. Debutimi me ekipin e parë të Milanit mban datën 12 qershor 2020, nën drejtimin e Piolit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, kundër Juventusit.

Një muaj më vonë ishte shenja e tij e parë në Serie A, kundër Bologna, ndjekur nga performanca e parë në “Europa League”, më 24 shtator, kundër norvegjezëve të Bodø / Glimt. Këtë sezon, Colombo ka qenë pjesë integrale e skuadrës kuqezi, si rezervë e Rebic dhe Ibrahimovic. Me ardhjen e Mandzukic, ai përfundoi zgjedhje e katërt në repartin e përparmë të kryesuesve të Serie A.