Verën e kaluar ishin të shumtë ata që i kërkuan një kapërcim përfundimtar të cilësisë, një lloj përgjigjeje për pyetjen që e kishte shoqëruar gjatë 12 muajve të tij të parë italianë: a ia vlejnë afërsisht 30 milionët e paguara nga Milani për ta bërë të tijin?

Sot, pas një pjese të parë të sezonit të shenjuar me shumë gjeste teknike përrallore, si dhe gola me peshë specifike të rëndësishme, askush nuk ka dyshime: Rafael Leao jo vetëm që meriton një vend në Serie A, por është një nga lojtarët me potencial dhe marzhe rritjeje të konsiderueshme.  Xhevahiri portugez, i cili në fazat e fundit të vitit 2020 kishte fituar një vend në historinë e futbollit italian, duke shënuar golin më të shpejtë ndonjëherë në kampionat, kundër Sassuolo, pas vetëm 6.76 sekondash, e hapi 2021-shin me një magji tjetër.

Këtë herë ishte një arritje balistike, një goditje e pabesueshme nga një pozicion pothuajse i pamundur, që lejoi Milanin të marrë epërsinë e dyfishtë ndaj Benevento, në fillim të pjesës së dytë. Një gol themelor që ndihmoi kuqezinjtë të merrnin tri pikë të tjera “të rënda”.

Leao gati i shpërqendruar i sezonit të kaluar, që vinte shpesh nga pankina për të ndikuar pak ose aspak në lojë, i ka lënë vendin një lojtari që ka gjetur besimin. Kjo e lejon të shprehet në nivele të larta, me një qëndrueshmëri të madhe. Pavarësisht nëse duhet të veprojë si një kryesulmues, ose më gjerë në të majtë, ai nuk ndryshon. Kur topi arrin në këmbët e tij, gjithmonë është ndjesia se diçka e veçantë do të ndodhë.

Në një moment, në të cilin Milani e gjeti veten, i detyruar të heqë dorë nga lideri kryesor, Zlatan Ibrahimovic, për shkak të dëmtimit, xhevahiri portugez ishte midis atyre, në gjendje të ngriheshin lart dhe ta bënin të pandjeshme mungesën e kampionit suedez.

I njëjti Ibra, nga ana e tij, tashmë disa muaj më parë ishte i pakursyer për Leao, duke rezervuar fjalë të rëndësishme për të: “Ai ka një talent të jashtëzakonshëm. Ne jemi këtu për ta ndihmuar, pastaj varet nga ai. Leao po bën gjëra të mëdha në fushë, është i gatshëm të skarifikojë veten, të rritet, ka një trup pothuajse më të mirë se imi. Ai duhet ta kuptojë që luan për Milanin dhe se këtu nuk ka kurrë durim”.

Ndoshta vetë Ibrahimovic kishte një rol themelor në rritjen e tij eksponenciale. Loja dhe stërvitja së bashku me një kampion, i cili gjithmonë ka kombinuar cilësi teknike të jashtëzakonshme me aftësi të pakrahasueshme për punë dhe sakrificë, përfaqëson shkollën më të rëndësishme për një talent.

Me Ibrën në “infermieri”, Leao doli të ishte një nga liderët më të mirë të Milanit të Piolit. Nga kjo pikëpamje, numrat nuk gënjejnë: 4 ndeshje radhazi si titullar, të shoqëruar me dy gola themelorë. I njëjti xhevahir portugez, pas fitores së marrë kundër Benevento, duke folur për mikrofonët e “Sky”, nuk e fshehu kënaqësinë:

“Kam shënuar një nga golat më të mirë në karrierën time, por gjëja më e rëndësishme ishte fitorja. Ne ishim me një lojtar më pak dhe kjo e bëri lojën më të vështirë. Titulli? Rruga është e gjatë, por kjo skuadër ka një mentalitet të shkëlqyeshëm. Nëse nuk kemi Ibra, luan Rebic; nëse mungon Rebic, atëherë kemi Hauge. Të gjithë këtu japin më të mirën e tyre dhe fusha po e tregon. Ne e dinim për fitoren e Interit, por filluam të përqendroheshim, duke menduar vetëm për tri pikët. Duhet ta falënderoj Piolin, sepse gjithmonë më jep kaq shumë besim. Mund të mësoj shumë me të, sepse më jep mundësinë të luftoj për ekipin tim”.