Miliroboti amfib, me madhësinë e një maje gishti, është gati për terapitë precize të së ardhmes: kjo pajisje e vogël përdor magnet dhe origami të palosshme për të lëvizur lirshëm në të gjithë trupin, duke lëshuar barnat që mbart vetëm pasi ta arrijë objektivin dhe duke i bërë kështu terapitë shumë më efektive.

Ai u krijua nga një grup studiuesish nga Universiteti amerikan i Stanfordit, të cilët e publikuan rezultatin në revistën Nature Communications.

Sipas autorëve të studimit, roboti mund të ndryshojë gjithashtu mënyrën se si mjekët ekzaminojnë pacientët, duke mbajtur jo vetëm ilaçe, por edhe instrumente dhe kamera të vogla.

I mundësuar nga fusha magnetike, të cilat lejojnë lëvizje të vazhdueshme, miliroboti mund të ndryshojë në mënyrë autonome konformacionin për t’u ngjitur në sipërfaqen e një organi ose për të notuar në qarkullimin e gjakut.

Studiuesit e udhëhequr nga Qiji Ze dhe Shuai Wu kanë studiuar me kujdes madhësinë dhe formën e saktë të çdo elementi të palosshëm që përbën robotin origami: në këtë mënyrë, pajisja jo vetëm që arrin të kontrollojë lëvizjet e saj sipas nevojës, por edhe shpalosja e saj plotësisht e lehtëson shumë udhëtimin e saj brenda organizmit.

Një tjetër aspekt inovativ në lidhje me këtë robot në shkallë milimetrash është kombinimi i disa karakteristikave gjeometrike: një vrimë që e përshkon atë për së gjati dhe disa të çara anësore të prira lart reduktojnë rezistencën ndaj ujit dhe e lejojnë atë të notojë më mirë.

“Ky dizajn krijon presion negativ brenda robotit që noton shpejt dhe ndërkohë lejon gjithashtu thithjen për të marrë dhe transportuar ngarkesën,” komenton Ruike Renee Zhao, një nga autorët e studimit.

“Ne shfrytëzuam plotësisht karakteristikat gjeometrike të këtij roboti të vogël, – shton Zhao, – dhe kemi eksploruar çdo konformacion në mënyrë që të mund t’i përgjigjet funksioneve të ndryshme”.