Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, është qëlluar ditën e djeshme me vezë gjatë një një tubimi parazgjedhor në Wuppertal.

Përkatësisht, Baerbock mori fjalën në tubim për të mbështetur kandidaten e Gjelbër, Mona Neubauer, dhe në një moment një grua nga audienca hodhi vezë drejt saj.

Baerbock reagoi me qetësi, duke shmangur me shkathtësi dhe reflekse për t’u admiruar vezën. Ajo nuk u ndal, por e vazhdoi fjalën para elektoratit.

“Mund të hedhësh vezë sa të duash”, – tha ajo, duke shtuar se nuk do të linte askënd ta frikësonte. Ministrja gjermane i tha gruas që hodhi vezët se kishte të drejtë për mendimin e saj, por ajo nuk zgjodhi mënyrën më të mirë për ta kontestuar.

Policia njoftoi më pas se “veza nuk e kapi objektivin”, por edhe se ndaj hedhësit të vezëve ka bërë kallëzim penal për lëndim trupor të mbetur në tentativë.