Smartwatch-et dhe aplikacionet në celularë tregojnë numrin e 10 mijë hapave si objektiv të përditshëm që duhen arritur për të qenë në formë.

Po kush e ka vendosur këtë shifër? Bëhet fjalë për një parametër arbitrar që vjen nga një gjetje marketingu të viteve ’60-të.

Për të shpjeguar se cili është numri i përshtatshëm, edhe në bazë të karakteristikave fizike të çdokujt, ka menduar Michelangelo Giampietro, specialist i Mjekësisë së Sportit dhe në Shkencën e Ushqimit dhe docent i Shkollës së Sportit dhe Shëndetit.

“10 mijë hapat kanë ardhur nga një kompani japoneze që ka nxjerrë në tre një pedometër (numërues hapash). Është një gjetje marketingu për Lojërat Olimpike të verës të zhvilluara në Tokio në 1964-ën”, ka thënë Giampietro.

“Stafi i kësaj kompanie ka arritur në konkluzionin se duhen 10 mijë hapa në ditë për të qenë në formë, por kjo shifër nuk bazohet në asnjë kërkim shkencor.

“Kjo shifër nuk duhet të jetë aspak një pikë referimi edhe pse studime shkencore kanë treguar se vdekshmëria për çdo shkak reduktohet ndjeshëm edhe tek ata që bëjnë më pak se 10 mijë hapa në ditë, me kusht që të jenë më shumë se 7 mijë.

“Gjithashtu, numri i hapave varet edhe nga fiziku i çdokujt si gjatësia dhe pesha. Një numër hapash që të jetë i vlefshëm për të gjithë? Është e qartë se ata që e nisin nga zero dhe nuk lëvizin shumë duhet të kënaqen me 2 mijë ose 3 mijë hapa në ditë.

“Ndërsa ata që bëjnë stërvitje duhet të bëjnë 5 mijë ose 7 mijë hapa në ditë. Dhe 7 mijë hapa në ditë është edhe objektivi më racional dhe i arsyeshëm”, ka përfunduar specialisti.