Pas 11 vitesh, José Mourinho është gati të kthehet në Itali. Ai do të jetë trajneri i ri i Romës dhe është gati të hapë një cikël, që shpreson ta vazhdojë për të tria vitet e kontratës. I pari që solli “Special One” në Itali, në vitin 2008, ishte Massimo Moratti. Një zgjedhje që, siç ka zbuluar historia, ka provuar të ishte fituese. Për “Corriere della Sera”, ish-presidenti i Interit zbuloi se kishte marrë një mesazh nga trajneri portugez:

“Mourinho më kishte dërguar një mesazh. Konkret si zakonisht. Tri fjalë. Nuk duheshin më shumë: Shihemi së shpejti. Jam i lumtur për të. Shumë. I thashë dhe do ta takoj në rastin më të shpejtë”. Moratti ka mbajtur një marrëdhënie të fortë me Mourinho. Raport i pashmangshëm, pas triumfit në Champions më 2010, me suksesin e trefishtë. Nuk ka xhelozi për ta parë atë diku tjetër:

“Së bashku me të kemi fituar gjithçka. Do të mbeten sezone të paharrueshme, është e tepërt për ta nënvizuar. Kjo xhelozi e mundshme, nëse duam ta përcaktojmë, nuk ka ndonjë kuptim. Helenio Herrera, pas triumfeve, gjithashtu shkoi për të stërvitur Romën”.