Massimo Moratti foli edhe për marrëdhënien e tij me Josè Mourinhon në lidhje me merkaton: “Jose është i vetmi trajner që nuk më ka thirrur kurrë për të pasur një lojtar. Ndodhi vetëm në një rast, kur ai ngulmoi për Quaresma, të cilin unë nuk doja ta merrja.

Pastaj i thashë po, sepse u lodha duke e dëgjuar. Ai i kishte bërë disa premtime lojtarit dhe vendosa ta kënaqja. Që atëherë, kurrë më. Kam pasur shumë trajnerë të tjerë dhe të gjithë më kanë kërkuar lojtarë në çdo orë”.

Presidenti historik zikaltër foli dhe për ardhjen e Mourinhos në stolin e Interit dhe arsyet që e çuan atë në zgjedhjen e tij: “E mora Mourinhon duke menduar për Herrerën. Më goditi një intervistë me të vite më parë, kur ishte trajner i Portos. Ai duhej të luante një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe tha se nuk mendonte për atë ndeshje, por për finalen. Me të vërtetë më goditi shumë.

Herrera dhe Mou nuk janë të mirë vetëm në komunikim, por edhe në profesionalizëm dhe seriozitet, me të cilin bëjnë punën e tyre. Jose është një trajner i kompletuar, profesionist i vërtetë. Ai respekton mjedisin në të cilin punon dhe nuk ndalon së mësuari. Lojtarët mua nuk janë ankuar kurrë tek unë për Mourinho.

Qortimet e tij ndonjëherë i kanë ndihmuar. I habitur për kthimin e tij në Romë? Jo, e kam dëgjuar shpesh dhe e kam ditur për këtë mundësi, kam qenë i kënaqur që mund të shkojë në Romë, sepse për të është vendi i duhur për t’u shprehur. Atij i pëlqen ta ndërtojë ekipin duke filluar nga baza. Është një përpjekje që e bën atë të jetë më i ri. Si një interist nuk jam xheloz për faktin që u kthye në Itali dhe zgjodhi të drejtojë Romën”.

Massimo Moratti, ish-presidenti i Interit dhe shumë i afërt me ngjyrat zikaltër, foli dhe për barazimin 3-3 në “Camp Nou”, duke e krahasuar me atë rezultatin historik të vitit 2010: “Ishte një lojë ndryshe të mërkurën, por Interi bëri shumë mirë. Luajti mirë kundër një Barcelonë të ndryshme nga ajo që takuam ne, por ishte një sfidë në mbrëmje, një ndeshje e bukur. Fatkeqësisht përfundoi 3-3, kur mund të mbyllej 4-3 për ne”.

A ka vend në Serie A për të rikuperuar 8 pikët që e ndajnë Interin nga Napoli? Për ish-presidentin, po: “Kampionati është shumë i gjatë, ka kohë për të kompensuar. Në fillim ka pasur shumë gabime, por shpresat mbeten të paprekura. Ndeshja në ‘Camp Nou’ të bën të kuptosh që skuadra është aty”.