Kishte një vit mes pacientëve të infektuar, por nuk e preku Covid-19. Bëri dozën e parë të vaksinës (ndër të parët, krahas kryeministrit Edi Rama) dhe e pësoi. Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, ka rezultuar pozitiv me koronavirus, në tamponin e kryer së fundi. Të martën, rezultati i testit të tij ka dalë pozitiv, 14 ditë pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer, në ambientet e “Air Albania”.

Pipero, i cili shërben pranë spitalit Covid 1, si dhe ka një klinikë private, ku kryen vizita dhe analiza diagnostifikuese për koronavirusin, ka thënë për mediat se është në gjendje të mirë, pasi i janë shfaqur vetëm simptoma të lehta, si dhembje koke. Në fakt, infektimi i tij është rasti i parë në vendin tonë, që një person infektohet me koronavirus, pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer.

Deri tani, në Shqipëri janë vaksinuar rreth 600 persona, të gjithë mjekë dhe infermierë, si dhe kryeministri Edi Rama. Pipero ishte personi i tretë, që u vaksinua më 11 janar, së bashku me shefen e Infektivit, Najada Çomo, dhe me kreun e qeverisë, Edi Rama.