Dy ish-futbollistë të njohur italianë kanë marrë përsipër ta kthejnë Dinamon e Tiranës në lartësinë e emrit dhe traditës së madhe që ka. Kuptohet, bashkë me presidentin italian, Pontrelli, i cili po investon prej një viti. Ky kooperim italo-shqiptar ka pasur jehonë në mediat italiane. Konkretisht, “Corriero dello Sport” shkruan:
“Një duet italian, për të qenë të saktë nga Lecce, në kampionatin shqiptar. Dinamo e Tiranës në fakt do të drejtohet në stol nga Francesco Moriero, një ish-sulmues i lindur në qytetin Salento dhe Fabrizio Miccoli, një ish-sulmues, me origjinë nga Nardò.
Të dy zënë vendin e një italiani tjetër, Fabrizio Cammarata. Përkatësisht, do të mbajnë rolin e trajnerit dhe zv.trajnerit të ekipit nga kryeqyteti shqiptar (kanë kontratë 2-vjeçare). Miccoli, gjithashtu, ka për detyrë të koordinojë sektorin e të rinjve të klubit.
Prezantimi i dy ish-lojtarëve u zhvillua të martën, përmes një konference shtypi. “Kam ardhur në Shqipëri më herët, – tha Moriero, – për të vëzhguar lojtarët. Unë nuk jam këtu për para, sepse ato nuk janë gjithçka. Ne thjesht u takuam me presidentin Pontrelli dhe e kuptuam rëndësinë e projektit. Po flasim për një ekip të rëndësishëm dhe qëllimi ynë është të vazhdojmë me këto rezultate. Unë u thashë djemve që duhet të punojmë çdo ditë për të shkruar historinë, por duke mbajtur këmbët në tokë. Nuk mund të flasim për identitet konkret ose të qëllimeve realiste, por punoni çdo ditë për t’u rritur dhe përmirësuar”.