Molla është një nga frutat më të mira dhe më të shijshme, që kemi mundësi ta konsumojmë në çdo stinë. Veç shijes së saj të veçantë, molla është një frut i tejmbushur me vlera ushqyese dhe veç ‘mishit’ të saj, edhe lëkura e mollës është vërtetuar shkencërisht se përmban shumë vitamina. Dhe kjo është edhe një nga arsyet se pse është rekomanduar që molla të mos qërohet, por të hahet me gjithë lëkurë.

Kjo për arsye se te lëkura e mollës ndodhet pjesa më e madhe e fibrave. Nëse e marrim në madhësi, një mollë mesatare përmban 4.4 gram fibra mollë. Dhe nëse do ta qëronim mollën nga lëkura e saj, asaj do t’i mbesnin vetëm 2.1 gram fibra, nga 4.4 që ka në total. Kështu që për të marrë sa më shumë fibra, këshillohet që ta hani mollën me gjithë lëkurë.

Veç fibrave, lëkura e mollës është e tejmbushur me vitamina. Një mollë me lëkurë ka 8.4 miligramë vitaminë C dhe 98 njësi ndërkombëtare (IU) vitaminë A. Pa lëvoren, mbeten vetëm 6,4 miligramë vitaminë C dhe 61 IU vitaminë A.

Gjithashtu, molla lehtëson edhe frymëmarrjen, por kjo vetëm nëse e hani me lëkurë. Një përbërës që ndikon në frymëmarrje quhet quercetin dhe gjendet më së shumti në lëkurën e mollëve. Një studim i kryer para disa kohësh zbuloi se njerëzit që hanin pesë ose më shumë mollë në javë kishin funksion më të mirë të mushkërive falë efektit të kuercetinës. Quercetina gjithashtu ndikon te kujtesa.