Nuk thonë kot, mosha është thjesht numër. Dhe këtë e vërteton më së miri Edna Sheppard, një zonjë nga Australia që është plot 100 vjeçe e që shkon në palestër tre herë në javë. Ndonjëherë edhe pesë herë herë në javë në klasa të ndryshme.

Në fakt, historia e saj është mjaft frymëzuese për çdokënd! Ajo ka nisur të merret me palestër që në vitin 1980, kur i shoqi i saj i ndjerë, 60 vjeç asokohe doli në pension. Për të mos qëndruar në shtëpi, ajo vendosi të regjistroheshin në “Qendrën Aquatic and Leisure Broadmeadows” në Melburn.

Që prej atij viti, Edna nuk është shkëputur më nga palestra dhe pavarësisht moshës së thyer ajo mund të bëjë disa ushtrime në palestër si shtytje të plota, ulje-ngritje, shtanga, mund të mbajë pesha 5 kg në secilën dorë etj.

Kur ishte më e rë, ajo merrte pjesë edhe në klasat e notit dhe në Zumba, duke u marrë me aktivitet fizik 8 orë në javë.

E pyetur nga Daily Mail se cili është sekreti i jetëgjatësisë dhe lumturisë, ajo u përgjigj: “Unë kurrë nuk kam pirë duhan apo alkool dhe gjithmonë kam bërë ushtrime sa më shumë që kam mundur”, tha 100-vjeçarja, ndërsa tregoi edhe rreth ushqimeve që ha, duke shmangur ato pikante dhe duke ngrënë sa më shumë fruta.

Edna Sheppard mbushi 100 vjeçe në 29 janar të këtij viti dhe e gjithë familja, miqtë dhe anëtarët e Qendrës “Aquatic and Leisure Broadmeadows” u mblodhën ta festonin.