Jose Mourinho beson se Gareth Bale do të jetë në gjendje të rigjejë formën e tij më të mire në Londër, ndryshe nga ditët e tij te Real Madridit. Portugezi pret shpërthimin e lojtarit në fjalë te Tottenham: “Kur ka vazhdimësi në lojë dhe arrin intensitetin e tij normal dhe dinamik, unë mendoj se Gareth mund të jetë lojtari që njerëzit kanë parë, duke qenë vendimtar te Real Madridi në një pozicion shumë të ngjashëm. Është shumë mirë të dëgjosh nga Sergio Reguilon, i cili ndau dhomën e zhveshjes me të në Madrid, se Gareth duket një djalë tjetër këtu. Pra, nëse ai është i lumtur me ne, atëherë shkon në shtëpi dhe mund ta ndajë atë lumturi me familjen. Kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë atij.

Një nga pyetjet e para në bisedën time të parë me Gareth ishte: Cili është pozicioni juaj i preferuar? Unë doja ta filloja nga aty dhe Bale m’u përgjigj: A do të thotë kjo, se do të përdorem gjithmonë atje? Jo, iu ktheva, sepse ti do të luash atje ku ekipi ka nevojë. Por, Gareth ishte shumë i qartë, duke thënë se pozicioni i tij i preferuar është në të djathtë. Nuk është një “10”, as sulmues i parë; nuk preferon as anën e majtë, siç bëri në vitet e para të karrierës te Southampton dhe Tottenham. Pozicioni i tij i preferuar tani është në anën e djathtë”.