“Corriere dello Sport” ka bërë moviolën e ndeshjes Juventus-Sassuolo 3-1 dhe ka evidentuar gabimet e kryesorit Massa. Kjo media e njohur italiane thotë se Bonucci ishte për të kuq, duke u dhënë notën 5 si vlerësim gjyqtarit në fjalë:

“Shumë episode, të mëdha dhe të vogla, në ndeshjen që drejtoi Massa, jo të gjitha të analizuara mirë. Reflektim paraprak: a mund t’ia besoni një ndeshje si kjo një arbitri që vjen nga një ndeshje e Serie B (Cosenza-Empoli), me kaq shumë gabime?

Bonucci ka “prerë” Caputo, e mban atë për krahu, ndërsa topi po arrin te porta bardhezi. Të dy janë vetëm, përpara ka vetëm Szczesny. Pra, mund të ketë vend për kartonin e kuq ndaj kapitenit bardhezi, sepse i mohoi me faull kundërshtarit një mundësi të qartë shënimi. Në vend të kësaj, është VAR (Chiffi) që e dërgon Massa te monitori për të parë faullin e Obiang ndaj Chiesa. Aty dha karton të kuq, duke treguar standarte të dyfishta.