Në një ndeshje kyçe për të kaluar në fazën me eliminim direkt të Champions League, edhe episodi më i vogël mund të ketë një peshë specifike shumë domethënëse.

Në Milan-Chelsea, kthesa e parë reale, madhështore e ndeshjes ndodhi në minutën e 18-të, kur gjyqtari Daniel Siebert, jo vetëm fishkëlliu për penallti në favor të bluve, por përjashtoi me karton të kuq edhe Tomori, mbrojtësin kuqezi.

Sipas gjyqtarit, mbrojtësi kuqezi ka bërë një faull ndaj Mount, në mes të zonës së rreptësisë, duke e konsideruar një mundësi të pastër për të shënuar. Xhevahiri i Chelsea, i nisur vrullshëm drejt portës kundërshtare, dyluftoi me Tomori, i cili në dy raste e preku në shpatull.

Disa prekje të lehta, por kaq mjaftuan për të dhënë një penallti bujare dhe për ta “skuqur” mbrojtësin qendror të “Djallit”.

Vendimi mund të rishikohej, por Milani u detyrua të luante në inferioritet numerik (me 10 lojtarë) për 70 minuta. Më pas penalltia u transformua në gol nga Jorginho.

Vendimi tjetër arbitral për një ndërhyrje shumë të vështirë të Sterling ndaj Krunic lë disa dyshime. Kryesori ndëshkon sulmuesin anglez me karton të verdhë, por mund të ishte diçka më shumë.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, për më tepër Gabbia rrezikon të “skuqet”, sepse tashmë ishte paralajmëruar (me të verdhë). Ai bëhet protagonist i një ndërhyrjeje jashtë kohe ndaj James.