Një inxhinier 30-vjeçar fluturimi, që i mbijetoi një aksidenti ajror horrori në Kolumbi, në vitin 2016, është nxjerrë gjallë nga rrënojat e një autobusi në Bolivi, i cili u përplas me një shkëmb dhe ra në humnerë, duke humbur jetën 21 persona.

“Unë u zvarrita, sepse gjuri m’u lëndua, dhe dola nga rrënojat. I thashë vetes: Përsëri gjallë, nuk mund ta besoj”, – i tha boliviani Erwin Tumiri gazetës “Los Tiempos” nga shtrati i spitalit në Cochabamba, në Bolivinë qendrore, pas katastrofës së të martës.

Kujtojmë se Tumiri ishte në ekuipazhin e një avionic, që u rrëzua në Kolumbi më 2016, duke transportuar 19 lojtarë të klubit brazilian të futbollit, Chapecoense, duke shkuar në Medellin për një ndeshje. Asokohe, 71 persona vdiqën, ndërsa ky i shpëtoi tragjedisë ajrore.

E njëjta gjë edhe në aksidentin fatal rrugor, teksa ishte në autobusin që ra rreth 150 metra në humnerë, afër Cochabamba, të marten. Në këtë tragjedi mbetën 21 persona të vdekur dhe 30 të plagosur.

“U kapa në sediljen para meje, e dija që do të përplaseshim, sepse po shkonim me shpejtësi të madhe, – kujton Tumiri. – Vazhdova të mbahesha, nuk e lëshova dorezën e sediljes përpara derisa goditëm tokën”. Tumiri tha se ishte i vetëdijshëm kur arritën ekipet e shpëtimit: “Ndihem i bekuar. Gjithmonë duke falënderuar Zotin”.