Juventus është ndalur në kampionat nga Fiorentina. Bardhezinjtë kanë barazuar 1-1 në Artemio Franchi në javën e pestë të kampionatit italian.

Gjithçka ka nisur mirë për skuadrën e Massimiliano Allegri-t, që ka arritur ta zhbllokojë ndeshjen pas vetëm 9 minutash lojë.

Milik, i aktivizuar në vend të Dusan Vlahovic në formacionin titullar, ka devijuar në rrjetë një gjuajtje të Kostic në zonën e rreptësië.

Njëzet minuta më vonë skuadra vjollcë ka gjetur golin e barazimit me Kouame pas një kundërsulmi që ka kapur në befasi mbrojtjen mike.

VIDEO – PERMBLEDHJA E FIORENTINA-JUVENTUS – VIDEO

Ndeshja mund të ishte përmbysur në fundin e pjesës së parë, kur arbitri Doveri ka dhënë një penallti për vendasit pas një prekje të topit me dorë nga ana e Paredes në zonën e rreptësisë.

Te pika e bardhë është paraqitur Luka Jovic, goditja e të cilit është devijuar në shtyllë nga një pritje shumë e bukur e portierit Perin.

Pjesa e dytë është dominuar nga Fiorentina, që ka luajtur në mesfushën e bardhezinjve dhe ka shkuar shumë afër golit të fitores me Amrabat në fundin e takimit, por edhe këtë herë Perin ka qenë shpëtimtar.

Juventus mban vendin e katërt në renditje me 9 pikë, ndërsa Fiorentina është në pozicionin e dhjetë më 6 pikë.