Diabeti shpesh quhet vrasës i heshtur sepse simptomat e diabetit vërehen vështirë dhe shumë lehtë merren për diçka tjetër. Diabeti zakonisht diagnostikohet me anë të hulumtimeve dhe analizave që nuk lidhen me vetë diabetin.

Urinimi i shpeshtuar dhe etja e tepruar – Nëse urinoni shpesh, sidomos gjatë natës, ndoshta vuani nga diabeti. Veshkat përpiqen shumë ta largojnë glukozën e tepërt nga gjaku, gjë që shkakton nevojë për të urinuar. Etja e tepërt ndodh për shkak se trupi ka nevojë për t’i rikthyer lëngjet e humbura. Këto simptoma janë disa nga treguesit e diabetit.

Humbja e peshës – Nivelet shumë të larta të sheqerit në gjak mund të shkaktojnë humbje drastike të peshës, 5-10 kg në një periudhë prej 2-3 muaj. Por, kjo nuk është humbje e shëndetshme e peshës. Insulina nuk mund ta shpërbëjë glukozën dhe trupi mendon se është i uritur dhe fillon t’i tretë proteinat si një zëvendësim për energjinë. Veshkat gjithashtu punojnë me një ritëm më të shpejtë për eliminimin e sheqerit të tepërt, gjë që çon në rritjen e konsumit të kalorive dhe e rrit rrezikun e dëmtimit të veshkave.

Uria – Uria e tepërt është një tjetër simptomë e diabetit që mund të ndodhë për shkak të ndryshimeve të papritura në nivelin e sheqerit në gjak. Kur niveli i sheqerit në gjak rritet, trupi mendon se është i uritur dhe kërkon burime të glukozës, e cila do t’i furnizojë qelizat dhe do ta mundësojë punën e tyre.

Problemet me lëkurë – Të kruarit e lëkurës mund të jetë rezultat i lëkurës së thatë apo qarkullimit të dobët, ndërsa të dy gjendjet janë shenja paralajmëruese të diabetit. Nëse keni probleme me lëkurë të thatë e cila luspohet, keni njolla të errëta apo lëkura vazhdimisht kruhet, gjithsesi konsultohuni me ndonjë mjek.

Shërim shumë i ngadaltë i plagëve – Infeksionet, gërvishtjet dhe të mavijosurat që shërohen ngadalë janë gjithashtu një simptomë klasike e diabetit. Kjo ndodh për shkak se enët e gjakut janë të dëmtuara për shkak të niveleve të tepërta të glukozës. Gjaku në këtë rast qarkullon më vështirë dhe më ngadalë vjen deri tek organet e caktuara.