Eni Çobani, një nga avokatet më në zë në Shqipëri është kthyer në një temë diskutimi ditën e sotme. Avokatja e njohur e emisionit “Shihemi në gjyq” së fundmi është duke u përballur me një situatë që mund t’i rrezikojë heqjen e licensës së avokates.

Kjo kërkesa ka ardhur nga Dhoma e Avokatisë së Gjirokastrës, të cilët kanë ngritur pretendimet e tyre se avokatja Çobani ka thyer bojkotin e avokatëve, pasi ka marrë pjesë në një seancë gjyqësore në Gjykatën e Faktit në Përmet.

Avokatët e Përmetit janë takuar me Çobanin në hyrje të kësaj gjykate, por ajo nuk është stepur dhe ka hyrë në godinë, duke thyer kështu bojkotin e avokatëve.

Sipas kërkesës që ka lëshuar Dhoma e Avokatisë së Gjirokastrës, thuhet se Eni Çobani pas paraqitjes, ka marrë fjalën dhe ka diskutuar në këtë gjykim.

Dhoma e Avokatisë se Gjirokastrës ku bëjnë pjesë edhe avokatët e Përmetit, ka siguruar procesverbalin e seancës gjyqësore në Gjykatën e Përmetit dhe bashkë me të, i ka dërguar Komitetit te Disiplinës të Dhomës Kombëtare të Avokatisë në Tiranë, një ankesë. Ata kërkojnë që të merren masa ndaj avokates Eni Çobani, me heqjen e licencës.

Eni Çobani prej vitesh është pjesë e programit të së dielës në TV Klan, “E Diela Shqiptare”, ku luan rolin e ndërmjetëses në emisionin “Shihemi në Gjyq” dhe ndihmon shqiptarët të zgjidhin problemet e tyre.