Pas Vedat Muriqit, një tjetër shpjegim publik vjen nga futbollistët e kombëtares së Kosovës. Më konkretisht, tani bëhet fjalë për Milot Rashicën, i cili, si disa “senatorë” të tjerë mungoi në ndeshjen më të rëndësishme deri tani për “Dardanët”, atë ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup, të enjten, që u humb 2-1. Pra, Kosova humbi mundësinë për të shkuar në finalen e Ligës së Kombeve me Gjeorgjinë dhe që aty të siguronte një vend në finalet e Kampionatit Europian, i cili u shty me një vit prej pandemisë dhe do të luhet verën 2021. Përmes rrjeteve sociale, Rashica bën sqarimin e tij:

Të gjithë e kemi ditur rëndësinë e ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut dhe dëshira ka qenë shumë e madhe që të jem bashkë me grupin. Edhe per mua personalisht do të ishte ndeshja më e rëndësishme deri tani në jetën time, por qysh nga ndeshja Moldavi-Kosovë, ku kam pësuar lëndim në gju, nuk jam stervitur as edhe një herë të vetme bashkë me ekipin (afër 5 javë), kam munguar në 4 ndeshjet e para zyrtare të sezonit të ri. Përveç dhimbjes në gju, kam qenë dhe jam larg me përgatitje fizike, për çka edhe nuk kisha mundur ta jap kontributin tim në atë ndeshje.
Ndjeva obligim që ta bëj këtë sqarim, pasi pashë reagimin e njerzëve”.