Ka bërë xhiron e botës fotoja e murgeshës katolike që ka dalë në rrugë në qytetin e Myitkyina, në veri të Myanmar, duke u lutur në gjunjë para forcave të policisë për të mos qëlluar ndaj manifestuesve të rinj, që po protestonin në paqe.

Bëhet fjalë për motër Ann Nu Thawng, e cila është kthyer në ikonë në ditën e manifestimeve në Myanmar, ku si pasojë e përpleshjeve mes policisë dhe protestuesve humbën jetën 18 persona (sipas Kombeve të Bashkuara).

Deri më tani, në qytetin e Myitkyina, protestat kanë qenë paqësore, por disa episode të dhunës rrezikuan që situata të degjenerojë. Ku veprim i murgeshës, që u gjunjëzua para policisë, ka befasuar të gjithë botën.

Ky veprim i murgeshës shihet si një model për liderët e kishës, që ka kërkuar të gjithë priftërinjve të ndjekin shembullin e saj. Më shumë se 100 protestues kanë mundur të gjejnë strehë në ambientet e kishës së murgeshës, që i shpëtoi nga arrestimi.