Radja Nainggolan mori shumë pak kohë për t’u bërë një nga protagonistët e mëdhenj të sesionit të tregut të transferimeve dimërore. Kthimi i tij te Cagliari, në formë huazimi, ishte konsumuar edhe para fundit të vitit 2020. Pra, debutimi i tij i tretë me “Rossoblu” tashmë konsiderohet një “déjà vu”.

Mesfushori belg, në një intervistë të gjatë për “Corriere dello Sport”, foli për të ardhmen e tij, duke filluar nga një tjetër “lamtumirë” nga Interi dhe nga marrëdhënia me Antonio Conte, e cila ndoshta nuk “lulëzoi” kurrë: “Ai është një trajner i shkëlqyeshëm. Por, unë u lëndova kur, pasi më dha vetëm 8 minuta lojë, më tregoi si përgjegjës për gjithçka”.

Ninja ndoshta i referohet Inter-Parma, kur trajneri zikaltër, pas bilbilit të trefishtë, duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth Nainggolan, tha: “Ju e shihni vetë performancën e tij”. Belgu ka këtë mendim: “Çfarë mund të bëja për 8 minuta? Sidoqoftë, nuk hapa polemika atëherë, madje nuk dua ta bëj as tani. Kështu shkoi”.

Nainggolan tani është gati të rifillojë dhe të ndihmojë Cagliari në luftën për mbijetesë: “Kur ka luftë, argëtohem. Sezonin e kaluar e filluam shumë mirë dhe e përfunduam keq. Këtë sezon duhet të bëjmë të kundërtën”. Ditët e fundit në Itali është folur shumë për Zaniolo, për ngjarje jashtë fushe. Kjo i bëri përshtypje shumë Nainggolan, pasi e njëjta gjë kishte ndodhur me të në të kaluarën:

“Shoh që po kalon atë që unë kam përjetuar. E kanë vënë në shenjestër. E shoh veten time brenda Zaniolo, sepse edhe unë jam sulmuar, trolluar në rrjetet sociale. Është e lehtë të pengohesh. E vetmja mënyrë është t’i injorosh këto sulme, të mos kujdesesh shumë për to”.

Nainggolan ka vetëm një këshillë për Zaniolo: “Unë nuk jam mësues i jetës, që jap këshilla. Por, mënyra e vetme që ai duhet të përgjigjet është përmes fushës”. Gjatë viteve, mesfushori belg nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie të shkëlqyeshme me tifozët e Juventusit: “E di që ata mund të thonë se nuk më donin te Juventusi, por thjesht duhet të pyesin menaxherët e tyre, drejtorët e tyre sportivë”.

Prandaj, Nainggolan pranoi në mënyrë të qartë se nuk dëshironte t’i vishte ngjyrat bardhezi në të kaluarën: “Pse refuzova? Për shkak se Juventusi ka qenë skuadra më e fortë për një dekadë dhe nuk më pëlqen të fitoj me skuadrën më të fortë”.