Juventus-Napoli, ose sfida që do të japë Superkupën e Italisë 2020, do të luhet më 20 janar, siç është planifikuar. Klubi blu kishte propozuar që ta transferonte ndeshjen në fund të kampionatit, por, pasi kërkesa nuk është pranuar, ndaj njoftoi se do të luante në Reggio Emilia në datën e caktuar fillimisht.

Napoli e bëri këtë njoftim përmes një shënimi në faqen e tij zyrtare: “SSCN do të marrë pjesë në Superkupën kundër Juventusit, në Reggio Emilia, të mërkurën e 20 janarit. Është e vërtetë se presidenti Aurelio De Laurentiis kishte kërkuar shtyrje të ndeshjes për në fund të sezonit, ose në një datë të mundshme në pranverë, për një seri arsyesh shumë të logjikshme. Por, ka qenë gjithmonë një propozim. Nëse ndeshja do të ishte luajtur në pranverë, do të kishte shpresë për stadium të hapur, qoftë edhe pjesërisht për tifozët.

Për më tepër, propozimi i De Laurentiis synonte të kërkonte fonde më të mëdha nga autoritetet rajonale dhe shtetërore, dhe nga sponsorë të ndryshëm, për të mbledhur një shumë të rëndësishme që do të dhurohej për kërkime kundër Covid-19. SSCN pranon që kjo kërkesë nuk u pranua, ndaj do të jetë i pranishëm në Reggio Emilia të mërkurën për të garuar kundër Juventusit”.