Është konfirmuar nga gjykata e Moskës dënimi prej 9 vitesh burgim për Alexei Navalny, opozitari kryesor i presidentit rus Putin dhe i luftës në Ukrainë.

“Presidenti mund të thyejë shumë jetë, por herët ose vonë do të mundet si në këtë luftë, ashtu edhe në atë luftën tjetër idiote që po bën”, ka thënë Navalny.

Rivali i Putin duket se do ta shlyejë dënimin në koloninë penale IK-6, në qytetin Melekhovo, një burg shumë i njohur për një  seri abuzimesh, torturash dhe vdekjeve misterioze të të burgosurve.

“Është një i çmendur që ka futur kthetrat e tij në Ukrainë dhe nuk e di se çfarë do të bëjë, ai hajdut i çmendur”, ka qenë deklaratat e bëra nga Navalny në sallën e gjyqit.

“Është konfirmuar dënimi i Navalny-t për një krim që nuk e ka kryer. Nëntë vite burg për ta heshtur dhe për të bërë të mundur që pushteti i Putin të mos shqetësohet. Për nëntë vitet e ardhshëm do të kërkojmë që të lirohet”, ka qenë komenti në Twitter i Lia Quartapelle, politikane italiane e Partisë Demokratike.

Navalny është shpallur fajtor 22 marsin e kaluar për “mashtrim në shkallë të gjerë” dhe për mosbindje ndaj Gjykatës në Rusi. Akuza ka kërkuar një dënim prej 13 vitesh. Është dënuar që të paguajë edhe një gjobë prej 1.2 milionë rublash.

“9 vite. Mirë, siç thonin personazhet e serialit tim të preferuar, The Wire: ‘Bën vetëm dy ditë. Atë që futesh dhe atë që del’. Kam patur edhe një fanellë me këtë slogan, por autoritetet e burgut ma kanë konfiskuar, pasi e kanë konsideruar ekstremiste”, ka komentuar vetë Navalny në Twitter pas vendimit, duke shtuar:

“Ju jam shumë mirënjohës të gjithëve për mbështetjen tuaj. Dhe djema, dua të them: mbështetja më e mirë për mua dhe për të burgosurit e tjerë politikë nuk është simpatia dhe fjalët e buta, por veprimet. Çfarëdo aktivitet kundër regjimit mashtrues dhe hajdut të Putinit. Çfarëdo opozite ndaj këtyre kriminelëve të luftës”.