Rritet numri i ndeshjeve të anulluara dhe të shtyra për një datë tjetër në NBA si pasojë e pandemisë Covid-19. Mëngjesin e sotëm nuk u luajt ndeshja e tretë (Dallas-New Orleans), ndërkohë që është konfirmuar edhe shtyrja e sfidës së radhës, Chicago-Boston.

Skuadrat nuk kanë në dispozicion numrin minimal të 8 lojtarëve të lejuar për të zhvilluar një ndeshje, ndërkohë që situata është bërë disi kaotike. Për këtë arsye, sot NBA do të zhvillojë një video-konferencë me pronarët e 30 skuadrave dhe basketbollistët, për të vendosur për të ardhmen.

Sipas mediave amerikane, parashikohet një stop prej 7 ose 14 ditësh i ndeshjeve, derisa situata të përmirësohet, pasi thuajse të gjitha ekipet kanë lojtarë pozitivë dhe në karantinë. Gjithashtu, do të modifikohet protokolli shëndetësor, për të parandaluar sa më shumë rastet.