Kane Tanaka, personi më i vjetër në botë, ka vdekur në Japoni në moshën 119-vjeçare, njoftoi të hënën Ministria Japoneze e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies. Tanaka lindi më 2 janar 1903 në rajonin jugperëndimor të Fukuoka (Japoni), duke qenë vajza e shtatë.

Ajo lindi në të njëjtin vit kur vëllezërit Wright fluturuan për herë të parë me një aeroplan dhe Marie Curie u bë gruaja e parë që fitoi një çmim Nobel. Ajo u martua me një pronar dyqani orizi në moshën 19-vjeçare dhe punoi në dyqanin e familjes deri në moshën 103-vjeçare.

Ajo drejtonte disa biznese, duke përfshirë një dyqan petësh dhe ëmbëlsirash. Çifti kishte katër fëmijë dhe adoptoi një të pestë. Ajo i mbijetoi kancerit dy herë, dy luftërave botërore, gripit spanjoll të vitit 1918 dhe pandemisë COVID-19.

E moshuara japoneze u zgjodh për të mbajtur pishtarin olimpik të “Tokio 2020”, por pjesëmarrja e saj u anulua për shkak të koronavirusit. Tanaka jetonte në një shtëpi pleqsh në qytetin e saj, ku studionte matematikë dhe praktikonte kaligrafi. Deri vonë ishte në gjendje relativisht të mirë shëndetësore.

Ajo ndërroi jetë në spitalin e Fukuokas, pasi u sëmur muajt e fundit. “Tanaka ka qenë vazhdimisht brenda dhe jashtë spitalit që nga fundi i vitit të kaluar”, – shpjegoi familja për kanalin publik japonez NHK.