Shqipëria humbi mbrëmë 2-1 ndaj Izraelit duke humbur përfundimisht shanset për vendin e parë në grup dhe mudnësinë e artë për t’u ngjitur në Ligën A.

Kritikat kanë qenë të shumta duke filluar nga trajneri Reja, te lojtarët dhe drejtuesit e Federatës. Gazeta Tema ka kritikuar ashpër 4 drejtuesit e FSHF-së, që shihen duke bërë foto të buzëqeshur në fushë, ndërkohë që Kombëtarja u bë kohë që është larg pritshmërive.

“Edhe pse objektivi ishte vendi i parë dhe çdo klasifikim tjetër konsiderohet dështim i rëndë, duke parë grupin e lojtarëve dhe ekipit që u shortuam, krerët e Federatës Shqiptare të Futbollit shfaqen entuziast pas çdo dështimi.

Kjo foto dëshmon qartë dhe nuk ka nevojë për shumë koment se ku është katandisur Kombëtarja shqiptare dhe kush e përfaqëson. Në asnjë vend në Europë nuk bën vaki që të shohësh presidente apo anëtare komiteti te dalin e shëtisin nëpër fushë para apo pas ndeshjes.

Madje këtë gjë nuk e bëjnë as trajnerët. Tek ne Armand Duka, i shoqëruar nga vartësit e tij si Ilir Shulku, Lutfi Nuri, dhe Arben Dervishaj, janë pamja më e turpshme që në çdo dështim të ekipit kombëtar, janë gjithënjë njerëzit më të buzëqeshur.

Më shumë se sa Reja, janë pikërisht këta persona përgjegjsit kryesorë për rënien dhe dështimet e ekipit tonë përfaqësues, për zgjedhjet që bëjnë. Më shumë se sa për të gjetur fajin e kërkuar largimin e trajnerit, janë këta të parët që duhen larguar nga aty”, shkruan gazeta Tema.