Ylli i filmit ‘Grease’, Olivia Newton-John është ndarë nga jeta në moshën 73 vjeçare.

Ajo ndërroi jetë në fermën e saj në Kaliforninë Jugore mëngjesin e sotëm pas një beteje të gjatë me kancerin.

Newton-John u diagnostikua për herë të parë me kancer në gji në vitin 1992, kur ajo ishte vetëm 43 vjeçe. Ajo zbuloi se sëmundja ishte kthyer në vitin 2013, e më pas edhe në 2017, kur ajo iu nënshtrua terapive të nevojshme.

Artistja kishte krijuar edhe një qendër kërkimesh për ndërgjegjësimin për kancerin në Melbourn dhe për trajtimin e dhimbjeve kronike me marijuanë.

Ndarja e saj nga jeta preku shumë miq të saj, përfshirë edhe aktorin e njohur, kolegun e saj në filmin “Grease”, John Travolta.

Në një postim në rrjete sociale ai shkruan: “E dashura ime Olivia, ti na e bëre jetën shumë më të mirë. Impakti yt ishte i pabesueshëm. Të dua shumë. I yti nga momenti i parë që u pamë dhe gjithmonë. Dani yt, Xhoni yt!”

Olivia Newton-John ishte këngëtare e dhjetëra hiteve, tekstshkruese dhe aktore.