U luajtën tri ndeshje të tjera të javës së 13-të të Superiores. Pas Vllaznia-Teuta 1-0, që ngriti siparin e këtij “stacioni” të kampionatit dje, radha ishte për fitoret e Laçit dhe dy bazime të tjera. Kurbinasit mposhtën në fushën e tyre 3-2 Kukësin. U duk se po shkohej drejt një triumfi tenistik, kur shifrat regjistronin avantazhin 3-0 për vendësit në minutën e 51-të, por dy penallti të akorduara në favor të miqve e vunë gjithçka në diskutim. Musta doli me karton të kuq, duke i lënë të tijtë në inferioritet numerik dhe vështirësi prej minutës së 82-të.
Korçarët për pak surprizuan në transfertë, më saktësisht në fushën asnjanëse të Kamzës, duke marrë 3 pikët me përmbysje ndaj Kastriotit. Goli i vonë, në fundin e kohës së rregullt i Mehmetit, ka shpëtuar skuadrën e Ndreut nga disfata. “Paqe” e luftuar, por pa gola në Ballsh, ku Tirana nuk shkoi dot më larg se barazimi i bardhë.
Ndërkohë, prej orës 16:30 të ditës së sotme do të luhet dueli përmbyllës, Partizani-Apolonia. Për momentin, kreu mbetet i Vllaznisë, me 29 pikë, plot 9 të tilla më shumë se Laçi dhe Teuta, që e ndjekin më së afërmi. Me një fitore ndaj fierakëve, “demat e kuq” kanë mundësinë të katapultohen në vendin e dytë pas kësaj jave të kampionatit kombëtar.
Java e 13-të
LAÇI-KUKËSI 3-2
Golat: Musta 12’, Harmon 45+1′, Xhixha 51′ / Ibraimi 64′ (pen), Eze 90′ (pen)
BYLIS-TIRANA 0-0
KASTRIOTI-SKËNDERBEU 2-2
Golat: Shkalla 28′, Mehmeti 90’/ Mensah 65′, Vangjeli 85′
PARTIZANI-APOLONIA (16:30)
Dje
VLLAZNIA-TEUTA 1-0
Golat: Hoxhaj 59