Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur në udhëtimin e linjës nga Londra për në Nju Jork. Avioni i kompanisë “Virgin Atlantic” është detyruar të kthehet pas në aeroportin e Heathrow (Londër) një orë pasi kishte nisur fluturimin dhe ndodhej mbi Irlandën e Veriut.

Shkak është bërë rrëfimi që ka bërë teksa ndodhej në ajër ndihmëspiloti, që ka pranuar se nuk ka kaluar testin e fundit. Për pasojë, komandantit të avionit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të rikthehej në bazë pas një ore fluturim, duke ndryshuar kurs dhe ka ulur sërish avionin në aeroportin nga ku ishte nisur.

Në avionin “airbus” ndodheshin rreth 300 pasagjerë, që fillimisht janë trembur dhe më pas kanë mbetur të zhgënjyer dhe habitur nga ngjarja. Kjo situatë e pakëndshme ka bërë që avioni të rinisej nga aeroporti i Londrës një herë të dytë, 2 orë e 40 minuta me vonesë nga orari i planifikuar.

Komandanti i avionit ka pritur që pranë tij të vinte një ndihmëspilot i dytë i kualifikuar, me të cilim më pas është nisur në fluturim drejt Nju Jorkut. Kompania ajrore ka kërkuar ndjesë te pasagjerët për këtë ngjarje, por ata kanë qenë të irrituar e nervozë nga kjo situatë e krijuar.