Njeriu më i moshuar i Europës, murgesha franceze Lucile Randon (Motra Andre), i mbijetoi COVID-19 dhe do të festojë 117 vjetorin e lindjes këtë javë, thanë personat që kujdesen për të. Zonja Randon, e cila mori emrin “Motra Andre” kur iu bashkua urdhrit të bamirësisë katolike në vitin 1944, rezultoi pozitive për koronavirus në Tulon të Francës jugore, më 16 janar. Ajo ishte e izoluar nga njerëzit e tjerë në shtëpinë e pensionistëve ku banon, por nuk shfaqi asnjë simptomë.
E pyetur nëse ishte e frikësuar që u diagnostikua me COVID-19, Motra Andre i tha televizionit BFM të Francës: “Jo, nuk u frikësova, sepse nuk kisha frikë të vdisja. Jam e lumtur që jam me ty, por do të dëshiroja të isha diku tjetër, t’i bashkohesha vëllait, gjyshit dhe gjyshes”.
David Tavella, zëdhënës i shtëpisë së pensionit “Sainte Catherine Labouré” tha se ajo ishte mirë me shëndet: “Ne e konsiderojmë atë të shëruar. Ajo është shumë e qetë dhe mezi pret të festojë ditëlindjen e 117-të, të enjten”. Ai shtoi se “Motra Andre”, e cila është e verbër, por në humor të mirë, do ta festojë ditëlindjen me një grup më të vogël banorësh se zakonisht për shkak të rrezikut të infeksionit nga koronavirusi: “Ajo ishte shumë me fat”.
“Motra Andre”, e cila lindi më 11 shkurt 1904, është njeriu i dytë më i moshuar në botë, sipas listës botërore (GRG). Vendin e parë e zë japonezja Kane Tanaka, e cila mbushi 118 vjeç më 2 janar. 20 njerëzit më të vjetër në botë në këtë listë janë të gjitha femra.
/ VOA