Një ngjarje aspak e zakonshme, për të mos thënë e paimagjinueshme për shqiptarin mesatar, është regjistruar ditën e djeshme në jug të Shqipërisë.

Bëhet fjalë për një episod interesant në aksin Sarandë – Butrint, pranë vendit të njohur si Kanali i Çukës. Banorët kanë raportuar për një një turiste nga Gjermania, e cila ka bërë veprimin që nuk e priste askush nga një gjermane.

Kjo turiste kishte bllokuar qarkullimin e automjeteve të tjera që kalonin në këtë aks dhe arsyeja ishte krejtësisht e palogjikshme. Thuhet se ajo e ndaloi makinën në mes të rrugës, bash tek ura, thjesht për të pirë një kafe.

Qytetarët, të cilët kërkonin të lirohej rruga dhe të qarkullonin lirshëm, kanë njoftuar autoritetet për të kërkuar ndihmë menjëherë. Sigurisht, pas telefonatës, efektivët dhe një autoambulancë janë paraqitur menjëherë.

Turistja gjermane spekulohet se ka disa probleme shëndetësore ose dicka e tillë. Ajo është transportuar drejt spitalit për një ekzaminim mjekësor. Nuk ia urojmë të keqen kurrsesi, por si mund të veprojë një gjermane ashtu?

Veprime të tilla janë ekskluzivitet i shqiptarëve. Të paktën, kështu kemi vite që i themi vetes. Mbase e paskemi patur gabim. E bëkan edhe të huajt.