Pas një fitoreje dhe një barazimi në dy ndeshjet e para të këtij kampionati ndaj Laçit, Ramadan Ndreu provon shijen e humbjes ndaj kurbinasve. Sot, në fushën e Laçit, krutanët u mundën minimalisht. Pas derbit të fqinjëve, Ndreu kritikoi të tijtë:

“Lojtarët nuk e menduan se po përballeshin me një skuadër të fortë, që do të dalë kampion dhe e kërkon këtë në çdo sekondë. E nisëm keq, pjesa e parë ishte e dobët, Laçi mund të na shënonte edhe 2-3 gola. Ishim të fjetur në pjesën e parë. Ndryshuam diçka në pjesën e dytë dhe e balancuam lojën. Me pak kujdes mund të merrnim diçka më shumë. Gjithsesi, Laçi kërkoi më shumë dhe e meritoi fitoren.

Që të kërkosh Kupat e Europës duhet të kesh lojtarë që e kuptojnë se çdo ndeshje është finale. Duhet të jemi të thjeshtë, ndryshe dështojmë. Objektivi ynë dihet. Të jemi realistë, nuk meritojmë më shumë se këtu ku jemi në renditje. Luhatje në dy ndeshjet e fundit? Po ta shohim me kujdes ndeshjen, shfaqemi krejt tjetër në pjesë të ndryshme të lojës. Me Partizanin ishim dobët pjesën e dytë, me Laçin zhgënjyem në të parën.

Ndoshta mendojnë se i kemi pikët për mbijetesë, por harrojmë se futbolli është i brishtë dhe rivalët afrohen. Do të mundohemi që në javët në vijim të jemi shumë të kujdesshëm. Do t’i ul në stol 3-4 lojtarë, që sot nuk u impenjuan sa duhet. Do të luajnë ata që japin maksimumin. Do të bëj ndryshime në formacion qysh javën e ardhshme”.