Kriza e klimës mund të reduktojë ndjeshëm orët e gjumit të njerëzve para fundit të shekullit, sipas një studimi të fundit.

Teksa pjesa më e madhe e studimeve në lidhje me ndryshimet e klimës përllogarisin efektet e mëdha ekonomike dhe sociale që do të ketë nga ngjarjet e motit ekstrem shkencëtarët kanë thënë tani se kriza mund të ketë një ndikim të madh edhe në aktivitetet  thelbësore të njerëzve si gjumi.

Rreth 50-58 orë gjumë për njeri mund të reduktohen vit pas viti deri në 2099-ën për shkak të ndryshimit të temperaturës nga kriza klimatike, sipas studimit të ri të publikuar javën e kaluar në One Earth nga shkencëtarët e Universitetit të Kopenhagenit.

Ata kanë thënë se kriza e klimës mund të çojë te një ndryshim i madh psikologjik dhe psikofizik te njerëzit në vitet e ardhshëm.

Shkencëtarët kanë thënë se ndikimi i temperaturës në humbjen e gjumit mund të jetë më i madh te banorët në vendet me të ardhura të ulëta dhe te moshat e mëdha dhe femrat.

“Rezultatet tona kanë treguar se gjumi, një proces shumë i rëndësishëm për shëndetin njerëzor, mund të degradojë për shkak të temperaturave të nxehta”, ka thënë Kelton Minor, autori i parë i studimit të Universitetit të Kopenhagenit.

“Në mënyrë që të marrim vendime të informuara në lidhje me klimën në të ardhmen, ne duhet të kemi një ide më të mirë për efektet e ardhshme të ndryshimit të klimës”, ka thënë ai.