Ndeshja e sotme mes Shqipërisë dhe Izraelit është shumë e rëndësishme jo vetëm për dy ekipet në fushë, por edhe për Islandën që do ta ndjekë më shumë vëmendje nga ekrani.

Rezultati i sotëm mes dy ekipeve do nxjerrë njërën prej tyre jashtë loje për vendin e parë, gjë që duket se do të vendoset më 27 shtator në “Air Albania”, ku Shqipëria pret Islandën.

Për takimin e sotëm, në Islandë duekt se bëjën tifo për Shqipërinë pasi në rast suksesi të Izraelit, atëherë do të mbyllej edhe historia e grupit.

“Sport Ekspres” ka shkëputur një prononcim nga gazetari i njohur në Islandë, Valur Eirikson. Ky i fundit është shprehur se në Islandë do të mbështesin kuqezinjtë, ndërsa mendon se ky takim do të zgjidhet nga Armando Broja, nëse sulmuesi do të jetë në formë.

“Ne presim një ndeshje të fortë mes Izraelit dhe Shqipërisë, pasi të gjitha ndeshjet në grup kanë qenë shumë afër njëra-tjetrës, me ekipe që kishin cilësi të njëjta. Mund ta shihni edhe te tre barazimet që ka marrë Islanda deri tani. Sigurisht që për Shqipërinë do të jetë e vështirë jashtë shtëpisë, duke parë se si e humbi ndeshjen e parë me Izraelin.

Megjithatë, në letër Shqipëria nuk duhet të jetë një ekip më i dobët se Izraeli dhe mund ta fitojë me patjetër ndeshjen, siç ne shpresojmë në fakt. Për më tepër që Manor Solomon i Fulham është i dëmtuar, pasi ky lojtar arriti t’ju shënojë dy golat në takimin e parë. Shpresojmë se mungesa e ndeshjeve të Armando Brojës dhe minutat e pakta në këmbë te Chelsea nuk do të ndikojnë te ai nesër dhe se do t’i japi fitoren Shqipërisë”, ka thënë Valur Eirikson për Sport Ekspres.