Në Teatrin “La Scala” të Milanos, gjatë koncertit të dytë të “Koreve dhe simfonive të Giuseppe Verdi”, ka rënë papritur një celular. Zilja e tij nuk pushonte dhe kjo ka detyruar dirigjentin e orkestrës Riccardo Chailly, të ndalë muzikën dhe fton orkestrën të mos u bjerë veglave.

Incidenti ndodhi në momentin më kulmor dhe emocionues të shfaqjes, teksa kori këndonte dhe orkestra luante pjesën e njohur “Patria Oppressa”. Komenti i dirigjentit pasi ndali orkestrën ishte epik: “Përgjigjuni ju lutem, ne mund të luajmë muzikë pasi të përfundoni ju”.

Më pas, duke iu drejtuar publikut, Chailly shtoi: “Dëgjoni miqtë e mi, jemi të shumtë në këtë rrugëtim të gjatë e të bukur të Verdi. Ne po regjistrojmë edhe një pjesë për Decca të Londrës. Pjesa “Patria Oppressa” me një zile celulari në sfond nuk është e mundur të luhet”.

Pas këtyre fjalëve dhe pasi zilja e celularit pushoi, orkestra nisi edhe një herë nga e para të luajë këtë pjesë dhe kori nisi të këndojë, mes duartrokitjeve të publikut.