Brenda pak ditësh Georgina Rodriguez vendosi ta trajtonte veten me dy tatuazhe. Fillimisht një engjëll i vogël në parakrah kushtuar binjakut që ndërroi jetë gjatë lindjes, pranverën e kaluar, më pas një nderim i vogël për partnerin e jetës Cristiano Ronaldo.
Modelja dhe influencuesja spanjolle ka inicialet C dhe G të ndara me një zemër të bërë tatuazh në kyçin e dorës. “Në lëkurë, në shpirt dhe në zemër”, – ka shkruar Georgina në Instagram, ku ka treguar për ndjekësit e shumtë imazhin e tatuazhit të saj të ri.
Pas gjashtë vitesh bashkë, çifti është më i bashkuar dhe më i lidhur se kurrë, edhe nëse duket se nuk kanë ndërmend të martohen.
Tatuazhi për binjakun e ndjerë
Partnerja e ikonës së Manchester United, Cristiano Ronaldo, Georgina Rodriguez ndan rregullisht pamje nga jeta e saj me fansat e panumërt në Instagram, ku e ndjekin mbi 39 milionë njerëz. Të enjten, modelja postoi një seri fotografish në të cilat njëra zbuloi se kishte bërë një tatuazh të ri, duke habitur ndjekësit e saj.
Edhe pse detajet e tatuazhit të saj të ri janë të panjohura, mësohet se ajo ka përjetësuar në lëkurë njërin nga binjakët e saj, që humbi jetën gjatë lindjes, 6 muaj më parë. Për ta përkujtuar përgjithmonë atë, Georgina bëri këtë tatuazh, që supozohet se është pikërish simboli fetar i kerubinit (sipas besimit fetar, një qenie shpirtërore e përmendur në Bibël).
Vetë ajo zbuloi se u “pikturua me bojë” nga një artist i quajtur Berni, i cili ka studiot e tij në Madrid dhe Malaga. Në fotografitë e tjera, partnerja e Ronaldos shfaq format e saj bombastike me një mini fustan ngjyrë salmon të ngushtë si lëkura.
Ajo e kombinoi “look”-un e saj me atlete të bardha dhe i lidhi flokët përsëri bisht. Postimi i Georgina u bë menjëherë një “hit” në mesin e ndjekësve të saj. Disa përdorues komentuan foton e saj dhe fansat e pyetën gjithashtu se çfarë dizajni tatuazhi kishte bërë.
“SA E BUKUR je”, – i ka shkruar gazetari Ivan Garcia, me të cilin partnerja e Ronaldos ka shijuar së fundi një udhëtim në ishujt e Sardenjës të Italisë.
Deti Mesdhe shërbeu si sfondi i përsosur për Georgina Rodriguez, nënën (dhe njerkën) mahnitëse të gjashtë fëmijëve të Ronaldos, për të shfaqur rikuperimin e saj të jashtëzakonshëm pas lindjes dhe agoninë që kaloi pas vdekjes së një prej foshnjave të saj.