Napoli i këtij sezoni është i jashtëzakonshëm. Skuadra e Luciano Spalletti-t kryeson në Serie A dhe ka siguruar kualifikimin në 1/8-at e Champions League dy ndeshje para fundit të fazës me grupe.

Protagonisti dhe zbulimi i ri i Axurrëve është Kvaratskhelia, i cili po zhvillon një sezon marramendës dhe që i ka bërë për vete të gjithë me lojën dhe statistikat e tij prej kampioni të vërtetë.

Në 13 ndeshje, mes Champions League dhe Serie A, gjeorgjiani ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë shtatë asiste. Napoli, edhe falë tij, është një makinë perfekte sot që duke se nuk ka rivalë.

Aktualisht nuk mund të bëhet një vlerësim i saktë për futbollistin, por nëse do të vazhdojë kështu, 100 milionë euro mund të jenë edhe pak, sipas calciomercato.it.

Historia tregon se për Napoli-n e Aurelio De Laurentiis askush nuk është i paprekshëm dhe shumë shpejt pritet që të mëdhatë e Europës, duke nisur nga PSG dhe Chelsea, pa harruar Barcelona-n, do të trokasin në derën e Axurrëve.

Kvaratskhelia ka një kontratë të gjatë me Napoli-n, deri më 30 qershorin e 2027-ës. Tifozët napolitanë mund të jenë të qetë për momentin dhe të shijojnë lojën e kampionit tyre të ri.