Nëse ju asnjëherë nuk do të humbisni, ju kurrë nuk do të fitoni!” (“If you never loose, you never win!”).

Kjo është sentenca e kampionit të madh botëror të Kërcimit së Gjati,  Sergey Bubka.

Jo gjithmonë fitohet  në jetë. Kjo është një siguri: edhe numri një, edhe më i forti në botë bëjnë gabime dhe përfundojnë duke humbur. Kampionë të tillë si Bubka, Bolt,…etj, , janë modeli njerëzor që duhet ndjekur për t’u treguar të rinjve që gabimi është njerëzor, por gabimi nuk mohon vlerat e përpjekjeve të kryera.

Kur mendoni për një kampion apo një person të suksesshëm, në përgjithësi mendojmë për medaljet e tij, arritjet e tij epike sportive, fitoret e tij të mrekullueshme, por njerëzit vështirë se mendojnë për humbjet, zhgënjimet e tij, kohën kur ai është ndier zemërthyer dhe i dërrmuar.

Dhe ndoshta, kur atleti në dhimbje e sipër, mendon të heqë dorë.

Në historinë tonë si atletë dhe si trajnerë, si dhe në jetën e përditshme kemi ndodhur të ndihemi të zhgënjyer për atë që kemi bërë ose atë që nuk kemi bërë, ose për një rezultat të marrë larg pritshmërisë sonë.

Në Lojërat Olimpike, Tokio 2020, për Kërcimin së Gjati, Shqipëria me Kampionin e saj Kombëtar Izmir Smajlaj, fatkeqësisht nuk  arriti të kualifikohej në finale. Ndodhi që edhe pse u kujdesëm e punuam aq fort për çdo detaj, duke punuar shumë, gjërat nuk shkuan siç i kishim ëndërruar.

Gjatë jetës, sporti na ka bërë gjithmonë të përjetojmë maja emocionale të jashtëzakonshme: nga fitoret e jashtëzakonshme që ushqejnë shpirtin, deri te zhgënjimet e rënda nga të cilat njeriu beson se nuk do të shërohet kurrë.

Ne biem.. Ne humbim.. Ne vuajmë.. Këto përvoja nuk përmenden në kurrikulën tonë, por falë këtyre dështimeve sojmë, përparojmë dhe zhvillohemi.

Si atletë, e kemi përjetuar këtë dhe shumë më tepër se një herë! Dhemb shumë, por në kalendarin e kohës,  në mënyrë të pabesueshme, rrëzimet e ashpra janë gurët themeli të rritjes si atletë.

Humbja është e dhimbshme! Por humbja është në garë, jo në jetë.  Ata që luajnë për të fituar, e dinë se humbja është pjesë e lojës.

Po citoj disa shembuj të mirënjohur për disa personalitete botërore  që kanë humbur shpesh në jetë,  janë refuzuar,  apo që i kanë quajtur të dështuar

“Ajo nuk ka talent për televizion,” -është thënë për Oprah Winfrey.

“Ai filloi të flasë në 4 dhe të lexojë në 9 dhe mësuesi i tij i tha: “Ti kurrë nuk do të jesh askush”,-   për Albert Eistein.

Ai u pushua nga kompania që themeloi vetë, – Steve Jobs.

Atij i thanë se i mungonte imagjinata dhe idetë origjinale, – për Walt Disney.

Mësuesi i tij thoshte për të: “ai është shumë budalla për të mësuar asgjë”, – për Thomas Edison.

Në moshën 15 vjeç ai u përjashtua nga 14 shkolla, -Sylvester Stallone.

“Ne nuk na pëlqen muzika e tyre dhe ata nuk do të kenë të ardhme komerciale,” tha një kompani e madhe diskografike për Beatles.

Dhe, për të qëndruar në fushën e sportit, le të mendojmë për historitë e Usain Bolt, Michael Jordan, Lionel Messi, humbjet e dështimet e tyre, njerëz të jashtëzakonshëm që domosdoshmërisht kanë kaluar nëpër shumë dështime për të ardhur më pas me punë e vullnet të pamposhtur tek suksesi gjigant i tyre.

Të quash dikë “humbës” sepse ka humbur një garë, është një zgjedhje shumë e rrezikshme për vetëvlerësimin e një atleti. Duhen  vlerësuar veprimet,  performanca dhe aftësia e atletit, qëndrimi dhe puna që  ka bërë. Ne mund  dhe  duhet të punojmë  dhe të stërvitemi për të arritur ëndrrën sportive: duhet të  sigurojmë jo vetëm mjete dhe strategji të dobishme për të fituar, por edhe një mbështetje për të mësuar se si të menaxhojmë  humbjen.

Njeriu nuk duhet të lejojë që një humbje apo dështim të shkatërrojë ëndrra të mëdha.

Duhet të shqyrtojmë sjelljet teknike, fizike dhe mendore që duhet të përmirësohen ose që nuk kanë funksionuar, por kurrë  dhe nga askush nuk duhet synuar të   cënohet  Identiteti i një  Kampioni!

Së bashku duhet të kujdesemi për plagën që kemi marrë  në garën olimpike dhe ta  shërojmë atë me kujdes bashkarisht.

Përhapja e lajmit se humben, nuk ndikon pozitivisht në vetëdijen e atletit dhe trajnerit. Ne e dimë më mirë se kushdo kush jemi,  atë që vlejmë,  atë që kemi arritur tashmë.

Në Romën e lashtë  gladiatorët bënin garë dhe,  perandori , nga poltroni i tij ngrinte dorën dhe me gishtin e tij tregonte lart a poshtë fatin e humbësit…Pikërisht kjo ndodh në ditët e sotme, kur  përpara ekranit të TV-së, shumica që ndjekin garën përpara një pjat me fruta dhe një birre, sillen si prehistorikë duke gjykuar apo fajësuar një kampion.

Asnjë atlet nuk e fiton garën pa humbur disa gara! Kur pranojmë humbjen: është e ndaluar të fajësohet atleti apo trajneri, apo dhe gjyqtari, edhe nëse gjeni objektivitet. Nuk ka njerëz për të fajësuar, por përgjegjësi për të marrë dhe reagime konstruktive për të dhënë. Rënia është një pjesë integrale e të mësuarit për të ecur. Gjëja e rëndësishme është të ruajmë besimin dhe të provojmë përsëri, kjo qasje na afron gjithnjë e më shumë drejt suksesit.

“Kush fiton feston, kush humbet mëson.”

Padyshim, pas pengesës, pas një rrëzimi, pas një prekjeje në pedanën kufitare ka një zhgënjim të madh, por aftësia jonë dhe e skuadrës qëndron në analizimin e garës, për të kuptuar pse  shkoi keq, kur në të vërtetë, stërvitja jonë, testet tona, mobilizimi ynë dhe e gjithë puna stërvitore kanë treguar parametra të lartë dhe shumë përmirësim në performancen tonë. Pas çdo gabimi ne kemi mundësinë të përmiresojmë veten dhe të bëhemi më të mirë dhe  në thelb, nëse kujdesemi për atë që ne  bëjmë dhe si e bëjmë atë, aq më shumë bëjme korigjime dhe aq më shumë angazhohemi menjëherë më pas, në një optimizim konstant dhe eksponencial të aftësive tona.

Ku janë pikat kritike  të forcës tonë? Kur janë emocionet të larta?  Cili  është mësimi sot nga kjo humbje?Çfarë mësojme nga kjo përvojë?Ҫfarë mund të bëjmë për t”u përmirësuar?

Ne duhet të sillemi dhe  ta trajtojmë këtë ngjarje, këtë garë,  me pjekurinë që kemi per te vleresuar çdo pritshmëri që kemi arritur si individë dhe si ekip.

Sekreti është të mos heqësh dorë kurrë dhe të kthehesh më i fortë dhe më agresiv se më parë. Cdo humbje është një mundësi për të mësuar diçka të re. Nuk ka asgjë më të mirë sesa të mësosh nga humbja, të punosh shumë për t”u paraqitur me dinjitoz herën e ardhshme.

Në jetën time si atlet kampion kam humbur edhe unë, kam humbur në  gara qe fitorja ishte 100% e padiskutueshme, por mbas nje humbjeje ka pasur dhe kam gjetur nje  arsye për të  fituar.

Edhe në këtë rast : Të mësojmë ta konsiderojmë humbjen jo si një dramë, por si një mundësi për rilindje: përsa i përket të mësuarit, mësimi që mësojmë pas një disfate mbahet mend shumë më gjatë sesa emocioni kalimtar i lidhur me fitoren. Pavarësisht nga shkalla e humbjes, ne kurrë nuk do ta humbim vlerën dhe rrugën drejt objektivit që i kemi vënë vetes.

Kampioni ynë, Kampioni i Europës Izmir Smajlaj i ka bërë krenar shqipet dhe vendin e shqipes në shumë ngjarje të mëdha sportive. Jepini olimpizmit dhe atletëve  entuziazmin që ju do te dëshironi të arrini dhe  do të arrijmë të gjithë me qëllimin me qëndrimin e një Fituesi!

 Kampioni ynë do të vazhdojë të na bëjë krenar! Ёndrra vazhdon!

Edhe sikur të humbisnim gjithçka, do të vlente që e provuam dhe jetët tona do të ishin plot kuptim. Do të mbetet e përjetshme fraza për e njohur olimpizmin, e baronit Pierre De Coubertin :  “E rëndësishme nuk është të fitosh, por të marrësh pjesë!”

Nga Gjergji Ruli (President i Federatës Shqiptare të Atletikës)