Rënia e flokëve është një nga problemet që ndeshen më shpesh në të gjithë botën dhe prek rreth një të tretën e njerëzve.

Duhet të dimë që rënia e flokëve është një fenomen natyral i zakonshëm, por shumica e njerëzve e hasin këtë problem më shumë gjatë muajve të sezonit veror. Megjithatë, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar sipas ekspertëve pasi është totalisht normale.

Rënia normale e flokëve është për faktin se qimet nuk janë të gjitha në të njëjtën fazë rritjeje: çdo ditë disa rigjenerohen dhe të tjerë vdesin. Pra, humbja e deri në 100 fijeve në ditë është shumë normale.

Por ka disa arsye kryesore se pse bien më shumë flokët gjatë kësaj periudhe të nxehtë:

Dielli – rrezet ultraviolet të diellit mund të thithin çdo gjurmë të lagështisë dhe t’i bëjë fijet e flokut më të thata, që në vetvete janë më të brishta dhe për këtë arsye këputen lehtë. Parandalojeni këtë duke përdorur kapele.

Klori – Gjatë verës, flokët janë më të ekspozuara ndaj klorit që shkakton dëme në flokë. Klori përmban veti kimike që largojnë sebumin, duke i bërë flokët më të brishta dhe të ashpra, e më të prirura për t’u këputur.

Kondicioneri – një nga armiqtë kryesorë për flokët. Ajri i kondicionuar nxjerr lagështinë nga flokët dhe i than ato. Aplikoni masa hidratuese për flokët të paktën njëherë në javë.