Ndonjëherë asgjë nuk ka më shumë rëndësi se vetë fjala, pavarësisht nëse veprimi merr ‘jetë’ ose jo. E së fundmi, një gjest tejet human i bërë nga një doktor në Gjilan të Kosovës ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Rasti është duartokitur e përshëndetur nga shumëkush që e ka parë gjestin e doktor Armend Rexhepit. Përmes një letre të vendosur në xhamin e makinës së tij, ai ka vendosur t’i drejtohet dhe t’i japë një informacion shumë të rëndësishëm të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ai ka vendosur t’i japë ndihmën e tij të gjithë atyre njerëzve të cilët nuk kanë mundësi të paguajë shërbimin mjekësor dhe këtë do ta bëjë pa asnjë lloj pagese. Mjafton që ta telefonojnë doktorin në numrin e shënuar nga ai dhe ata mund të marrin shërbimin shëndetësor falas.

“Nëse keni nevojë për mjek dhe nuk keni mundësi të paguani, atëherë më ndaloni”, shkruhet në mesazhin e doktor Armend Rexhepit, drejtuar të gjithë qytetarëve. Një mesazh në fakt që ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve, që e kanë fotografuar dhe postuar në rrjete sociale.

Ky gjest duhet vlerësuar në fakt shumë, pasi ashtu sikurse ka raste të tilla, ku të qenit human triumfon mbi paranë dhe përfitimet ekonomike, ka edhe raste ku leku triumfon mbi humanitetin. E nuk është se nuk ndodh… sidomos në Shqipëri e Kosovë, ku rastet janë të shumta.