Netflix, platforma e njohur e transmetimit të filmave ka në plan të ndalojë shpërndarjen e fjalëkalimeve jashtë një familjeje të vetme, duke i vendosur tarifa shtesë përdoruesit nëse e bëjnë këtë.

Kështu, përdoruesi kryesor i llogarisë në këtë platformë, pas abonimit do të marrë një e-mail me një kod për të aktivizuar llogaritë e reja. Atij do t’i duhet të përdorë kodin për të verifikuar se pajisje shtesë janë pjesë e familjes së tij.

Ka qenë vetë drejtori i Inovacionit të produkteve të Netflix, Chengyi Long, i cili në një deklaratë ka thënë: “Ndërsa këto kanë qenë jashtëzakonisht të njohura, ato kanë krijuar gjithashtu një konfuzion rreth asaj se kur dhe si mund të ndahet Netflix. Si rezultat, llogaritë po ndahen midis familjeve që ndikojnë në aftësinë tonë për të investuar në TV dhe filma të rinj të mrekullueshëm për anëtarët tanë.”

Platforma do të hedhë në treg dhe do të testojë dy veçori të reja në disa tregje të përzgjedhura, ku anëtarët do të duhet të paguajnë shtesë nga 2-3 dollarë nëse e ndajnë fjalëkalimin me njerëzit jashtë shtëpive të tyre.

Netflix ka gati 14 milionë abonentë në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbi 600 mijë në Irlandë, dy vendet ku gjigandi i transmetimit të filmave ka rritur çmimet së fundmi. Të gjithë personat e abonuar në Netflix në këto dy vende do të duhet të paguajnë 1,93 dollarë më shumë, me çmimn që rritet nga 7,82 dollarë në 9,13 dollarë për transmetimet në cilësinë HD.

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, abonentët e planit bazë paguajnë 9,99 dollarë në muaj.