Komiteti Teknik i Ekspertëve, ka marrë disa vendime të rëndësishme në mbledhjen e radhës, në lidhje me disa nga masat anti-covid që do të zbatohen në vendin tonë. Bazuar në situatën epidemiologjike, e cila është përmirësuar ndjeshëm javët e fundit, duke filluar nga 1 maji 2022, do të hiqet detyrimi për mbajtjen e maskës. Gjithsesi, mbajtja e maskës rekomandohet në ambientet e mbyllura.

Një tjetër vendim i marrë nga Komiteti Teknik i Eskpertëve, është lejimi i muzikës pas orës 23:00 dhe rihapja e klubeve të natës. Këtë gjë e konfirmoi zëvendësministrja e Shëndetësisë, znj.Mira Rakacolli. Në lidhje me vaksinimin e popullsisë, ajo u shpreh se qytetarët mbi 60 vjeç dhe ata që kanë sistem imunitar të kompromentuar, mund të kryejnë dozën e  katërt të vaksinës ndaj koronavirus.

Nga data 1 maj, do të hiqet edhe detyrimi për të paraqitur dokumentin e kryerjes së vaksinës anti-Covid, dokumenti i testimi për SARS Cov2 si dhe çertifikata e shërimit për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri, nga çdo pikë kufitare.

Zv.Ministrja Rakacolli, shtoi në fund se Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vazhdojë të monitorojë situatën në vend dhe se këto masa të fundit që janë marrë do të vlerësohen në dinamikë, duke u bazuar në nivelin e riskut në vend apo edhe në botë.