Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ishte plot lëvdata për Granit Xhakën, duke thënë se mesfushori ka qenë “fenomenal” që nga kartoni i kuq i muajit të kaluar, kundër Burnley. Shqiptarit të Zvocrës iu dha një karton i kuq ndaj Burnley, pasi e kapi për fyti Ashley Westwood. “Topçinjtë” do ta humbisnin ndeshjen 1-0, duke vijuar me një ecuri të tmerrshme, që i pa pranë vendeve të rënies nga Premier League.

Forma e Arsenalit është përmirësuar më vonë, me ekipin e Arteta që ka fituar tri dhe barazuar një nga katër ndeshjet e fundit në kampionat, për të kaluar në vendin e 11-të në klasifikim. Pas pezullimit për kartonin e kuq, Xhaka është kthyer në ekip dhe ka startuar katër ndeshjet e fundit të Arsenalit në kampionat. Ai i ka bërë përshtypje trajnerit Arteta, i cili është i kënaqur me mënyrën se si shqiptari është kthyer:

“Pas kartonit të kuq dhe me historinë që kishte, Graniti gjendej në një pozitë të vështirë. Ne duhej ta provonim dhe ta kthenim atje ku besojmë se mund të jetë, dhe ku duhet të jetë. Ai është një nga liderët e ekipit, na ka dhënë stabilitet me praninë e tij në mesfushë. Unë mendoj se qysh kur u kthye nga dënimi prej kartonit të kuq, Xhaka ka qenë fenomenal. Ai po luan vërtet shumë mirë, është ende një lojtar që mund të evoluojë. Është shumë mirë për ne që ta kemi përsëri”.