Vllaznia-Teuta është kryesfida e javës së 13-të të Superiores, e cila do të luhet nesër prej orës 18:00. Në konferencën për shtyp, trajneri i kuqebluve, Thomas Brdaric, do të bënte këtë prognozë: “E kemi filluar vitin me plotësimin e skuadrës me një sulmues të mirë si Avdijaj dhe po shohim gjithmonë përpara, sepse ajo që ka kaluar, ka kaluar. Ne jemi skuadër që duhet të përmirësohet dhe të vazhdojë punën e përkushtimin. Duam të bëjmë paraqitje si vitin e kaluar. Jemi në një pozitë ku çdokush duhet të na kapë dhe mundë, jemi në vend të parë dhe duhet ta mbrojmë kreun. Do ta tregojmë veten edhe nesër ndaj Teutës.

Teuta e pamposhtur? E dimë, e kemi parë si luan dhe mendojmë se kemi shanse të mira në fushën tonë. Duhet të japim maksimumin që ta mundim Teutën. Ajo është një skuadër shumë e fortë, ka trajner me eksperiencë, fituese e Kupës. Do të jetë një ndeshje e fortë, ndaj duhet të jemi të fokusar dhe të uritur që të fitojmë kundër Teutës.

E kemi filluar nga zero në verë dhe mendoj se iu kemi treguar të gjithëve në qytet se me këtë përkushtim e përpjekje, skuadra është konkurruese. E dimë se çfarë duhet të bëjmë me Matkon dhe stafin teknik. Sigurisht, edhe me lojtarët. Jemi në një situatë kur ndonjë lojtar do të ikë, ndaj duhet të afrojmë të tjerë të përshtatshëm për ekipin. Kështu u mor vendimi edhe për Albionin. Ai ka karakter, është një lojtar që e njoh dhe vendimin e morëm bashkë. Duhet të tregojmë në transferime jo vetëm aftësinë e lojtarit, por edhe nëse është i përshtatshëm për ekipin dhe kjo është vendimtare.

Dhurata në merkato? Kemi dhënë shumë dhurata në këto 6 muaj. Nuk e kemi me ngut afrimin e lojtarëve. Nëse gjejmë lojtarë të mirë për këtë klub, mund të bëjmë diçka. Nuk ka asnjë gjë të veçantë për të folur për momentin. Kur të kemi diçka do të flasim”.