Fotografia më e famshme e dyshes Casillas-Carbonero është sigurisht ajo e puthjes në Kupën e Botës 2010, kur portieri i Real Madridit puthi gazetaren, pasi fitoi trofeun e madh me Spanjën. Sidoqoftë, historia e tyre e dashurisë, siç zbulohet nga revista “Lecturas”, tani ka mbaruar dhe të dy do të ishin gati të ndaheshin. Çifti së fundi i kishte mohuar thashethemet për një krizë, por sipas burimeve spanjolle, historia e tyre e dashurisë tani është në fund.

Vetëm më 12 shkurt u panë së bashku, kur u larguan nga klinika e Universitetit të Navarra, në Spanjë, ku gazetarja u shtrua për një operacion delikat, pasi u diagnostikua me kancer në vezore. Menjëherë pasi u hospitalizua Carbonero, shkruan “Lecturas”, çifti drekoi në restorant në shoqërinë e Isabel Jimenez, një shoqe e shkëlqyer e Sara-s. Sidoqoftë, në fund të drekës, ajo do të largohej me shoqen e saj, ndërsa Iker do të merrte makinën e tij dhe do të shkonte vetëm në shtëpi.

Një e dhënë që sugjeron se të dy tashmë nuk ndanin apartamentin e përbashkët në Madrid. Në fakt, duket se ish-portieri nuk jeton me gruan e tij prej disa javësh. Kështu, duket se po përfundon një marrëdhënie shumë e fortë dhe e dashur. Në vitin 2019, fotot e të dyve, të përqafuar në spital, pas sulmit në zemër të ish-portierit, tronditën rrjetin social. Tashmë, gazetarja duket se ka humbur mbështetjen më të madhe, në vijim të luftës së vështirë me sëmundjen e rëndë, kancerit në vezore.