Ai konsiderohet si një nga sulmuesit më të fortë ndonjëherë në Serie A. Rruga që e çoi në këto nivele të caktuara, megjithatë, nuk ishte saktësisht e lehtë. Lautaro Martinez është një nga lojtarët më të mirë të Interit sot, por në një intervistë të gjatë me “Sportweek”, pranoi se ishin edhe zhgënjimet e hidhura, që e bënë atë që është sot. Midis tyre, gjithashtu, refuzimi nga Boca Juniors:

“Janë gjëra të pritshme, por kur je aq i ri, të lëndojnë. Ende e mbaj mend atë audicion: pas 15 minutash më thanë se nuk kisha fuqi dhe shpejtësi. Isha 15 vjeç, ndaj e përjetova si një goditje të madhe. Dhe kur Racing u shfaq në derë, menjëherë pas kësaj, nuk hezitova aspak. Thjesht doja të argëtohesha. Për fat të mirë e dëgjova babanë tim. Ai luajti futboll dhe provoi shumë gjëra para meje. Është personi i parë që dëgjoj në fund të çdo ndeshjeje”.

Basketbolli ishte gjithashtu një nga dashuritë e para të Lautaro Martinez: “Nëse nuk do të isha futbollist, do të kisha luajtur basketboll. Si vëllai im, Jano. Më pëlqente, isha një shfaqje dhe mbase mësova disa lëvizje, kthesat, në atë fushë që ishte afër shtëpisë sime. Shumë basketboll luhet në Bahia Blanca, falë edhe Manu Ginobilit. Unë hyra në atë fushë rastësisht, por më pëlqeu menjëherë. Në mëngjes shkoja në shkollë, pastaj futboll dhe basketboll. Ose anasjelltas. Në mbrëmje isha i shkatërruar fizikisht. Kam fjetur pak, kam ngrënë keq. Kështu, babai im më këshilloi dhe zgjodha futbollin. Unë kam lindur në një dhomë zhveshjeje futbolli, kam ndjekur babanë tim edhe nga larg, gjithmonë”.

Sulmuesi argjentinas sot punon nën urdhrat e Antonio Conte, një trajner kërkues: “Shumë. Ai është një trajner që punon për të të përmirësuar fizikisht dhe taktikisht. Ardhja e tij tek Interi ishte thelbësore për mua, më bëri të rritem shumë. Dhe nuk dua të ndalem këtu”. Në verë kishte shumë tifozë zikaltër që ëndërronin goditjen e Messit: “Ishte një ëndërr edhe për mua, natyrisht që po. Të luash me të është e shkëlqyeshme. Ai është lojtari më i mirë në botë. Kam fatin të luaj në ekipin kombëtar me të. Ne të rinjtë e shikojmë, e dëgjojmë”.

Futbolli gjithashtu do të thotë shumë stres, por Lautaro Martinez është i lumtur në Milano: “Të flitet për ty dhe klube të rëndësishme është një gjë e bukur, por edhe e rëndë. Shkoni të hani dhe njerëzit flasin për ju, shkoni në tualet dhe sërish flasin për ju. Duhet të jesh i fortë në kokën tënde. Ishte një verë e lodhshme… Jam tek Interi sot dhe ndihem i lumtur. Këtu jam mirë. Milano është një qytet i bukur, ku ka gjithçka. Tani po vjen edhe Nina dhe do jetë edhe më bukur”.

Për një kohë të gjatë flitet mbi një negociatë për rinovimin e kontratës: “Menaxheri im dhe klubi po punojnë. Jam i qetë. Unë mendoj t’i jap Interit gjithçka që kam, pastaj marrëveshja gjendet”. Ndër ëndrrat e Lautaro Martinez është edhe titulli me Interin: “Pas kaq shumë vitesh dominimi te Juves, këtë vit kampionati është më i ekuilibruar. Covid-19, pesë zëvendësimet etj., kanë ndryshuar gjithçka. Ndeshjet pa tifozë janë më pak argëtuese, më pak të dukshme. Unë nuk e nënvlerësoj Juven, asnjëherë nuk i kam nënvlerësuar rivalët. Dhe më pëlqen loja e Atalantës. Më pëlqen edhe Roma, edhe para barazimit 2-2”.