Ka një fije jeshile që i lidh mes tyre yje si Kim Kardashian, Sylvester Stallone dhe tenistin Novak Djokovic dhe kjo fije është… selinoja.

Bima e varfër, që përdoret zakonisht për t’i dhënë shije supës ose sallatës, po jeton një rini të dytë nga momenti kur dy vite më parë në Kaliforni është përhapur besimi se lëngu i selinosë së freskët ka një efekt ta madh pastrues.

Ai që e ka prezantuar si një modë të shëndetshme ka qenë Anthony William, i cili nuk është as një mjek dhe as një shkencëtar, por një nga ata që përshkruhen si guru.

Në një libër (Fuqia e lëngut të selinosë), William ka bërë një listë të të mirave që sjell konsumimi i këtij lëngu, aftësinë për të larguar toksinat e kristalizuara në organizmin tonë prej vitesh, duke bërë më të lehtë përballimin e një serie të gjatë sëmundjesh.

William ka më shumë se 2 milionë ndjekës në Instagram dhe 3.4 milionë të tjerë në Facebook (ndërkohë janë shtuar).

Në faqen e tij të internetit janë dëshmitë e shumë personazheve të famshëm, mes të cilëve është edhe ylli i tenisit Novak Djokovic. Është shfaqur në programe televizive mes të cilëve Keeping Up with the Kardashians. Dhe ka shkruar për Goop, faqja e internetit e Gwyneth Paltrow.

Lista e personazheve VIP që besojnë te magjia e lëngut të selinosë është shumë e gjatë dhe përfshin: Djokovic, Robert De Niro dhe John Donovan, CEO i kompanisë telefonike amerikane AT&T, por edhe të tjerë si:

Silvester Stallone, Naomi Campbell, Pharrell Williams, top modelja Miranda Kerr, Hilary Swank, Liv Tyler, Gwyneth Paltrow, Rashida Jones, Calvin Harris, Debra Messing, Scott Bakula, Courteney Cox (Monica e Friends), Taylor Schilling (Orange Is the New Black), Carla Gugino, David James Elliott.

Duhet pirë apo jo lëngu i hidhur? Siç ka shkruar The Guardian: “A ka me të vërtetë rëndësi nëse të pasurit e konsumojnë lëngun e selinosë me bindjen e gabuar se do të ndryshojë jetën e tyre? Në një farë mase, jo. Mund të mos jetë elikziri që shumë do të donin të ishte, por nuk ka asgjë të keqe te personat që e pinë”.

Problemi, më shumë se çdo tjetër, sipas së përditshmes angleze, është se nëpërmjet rrjeteve sociale mund të shtyhen njerëzit të ndjekin moda të rrezikshme të shëndetit me efekte të dëmshme. Fatmirësisht, për momentin, selinoja nuk është mes këtyre.