Nëse pranon të vizitosh kështjellën e Kontit Drakula në Rumani, do të “fitosh” një dozë falas të vaksinës anti-Covid, si dhe një vizitë në “dhomën e torturave” që ndodhet në këtë kështjellë. Nayrisht që gjithçka është gratis.

Kjo është ideja e drejtuesve të kështjellës së famshme që ndodhet neë Bran të Rumanisë, për të promovuar turizmin, rritur numrin e vizitorëve dhe aktivitetet kulturore në këtë zonë. Në të njëjtën kohë, kjo manovër është edhe një mundësi e mirë për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit në Rumani.

Jo vetëm kaq, por të gjithë vizitorët që pranojnë këtë ofertë, do të marrin një çertifikatë si “të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm” për këtë situatë, duke qenë të mirëpritur në këtë kështjellë për 100 vitet e ardhshme.

Për të imunizuar sa më shumë banorë, qeveria rumune ka nisur të organizojë një seri fushatash vaksinimi lokale apo “maratona 24-orëshe të vaksinimit” në vende të rëndësishme të vendit, siç është Kështjella e Drakulës në Bran apo Biblioteka Kombëtare në Bukuresht.

Deri më tani, në Rumani janë vaksinuar 3.6 milionë banorë (kanë marrë të paktën një dozë), ndërkohë që popullsia e këtij vendi arrin 19 milionë banorë. Autoritetet synojnë të vaksinojnë 5 milionë banorë deri në qershor.