Ka hotele luksoze që të lënë pa frymë në mbarë botën, por pak mund të mburren me një dizajn aq origjinal sa Private Jet Villa nga Hanging Gardens. Është një vilë pushimi e ndërtuar brenda një Boeing 737 të braktisur.

Avioni origjinal luksoz ndodhet në plazhin Nyang Nyang në Bali, Indonezi. Avioni i përkiste kompanisë indoneziane Mandala Airlines, e cila pushoi së funksionuari në vitin 2014 dhe sipërmarrësi rus Felix Demin mori përsipër ta bënte atë një vilë private unike.

Boeing 737 ishte një rrënoja e braktisur në Kinë përpara se Felix Demin ta blinte dhe ta kthente në një vilë luksoze me qira për 6000 dollarë në natë.

Projekti përfshinte transportimin e avionit në copa në shkëmbin Nyang Nyang në Bali, ku avioni u montua dhe u rinovua për t’u bërë një vilë e mrekullueshme me pamje nga oqeani.

Private Jet Villa nga Hanging Gardens është një vilë private që mund ta merrni me qira për pushime. Prona përfshin dy dhoma gjumi me banjo, një dhomë ndenjeje dhe një kuzhinë, si dhe një tarracë panoramike të lë pa frymë.

Hyn në avion përmes një harku druri të rrethuar me gjelbërim dhe, pas disa hapave të gurtë, futesh në kabinën e avionit, i cili është transformuar tërësisht brenda.

Hapësira e brendshme është studiuar deri në detajet më të vogla për të akomoduar dy dhoma gjumi të pavarura, secila me një banjë dhe një zonë të madhe të përbashkët me një zonë relaksi dhe kuzhinë.

Jashtë avioni do të pajiset me një pishinë dhe një dhomë me diell. Pjesa më e habitshme e projektit është krahu i avionit i shndërruar në një vendkalim drejt oqeanit.